Paraja në dispozicion është oksigjeni i pothuaj të gjithë sipërmarrjeve të biznesit, por gjithashtu edhe i individëve. Akoma më shumë e rëndësishme bëhet ajo në kushtet e sotme, kur nevoja për konsum është në rritje. Pa shumë mundim, madje edhe në lagjet më të vogla mund të gjesh të pranishme degët e bankave, që i sheh madje edhe përbri furrit të bukës ose parukerisë, duke tërhequr vëmendjen me ofertat e tyre nga më joshëset. Edhe nëse nuk janë prezente, ofertat e tyre shumëngjyrëshe i has në cdo pikë shitje.

Por cfarë ofrojnë ato?

Para, për të gjithë e për gjithcka. Deri këtu asgjë të keqe nuk ka, përkundrazi. Por vjen momenti të hysh brenda në bankë për të përfituar nga shërbimet që ajo ofron. Atje patjetër fillon vështirësia, dokumentat që duhen plotësuar dhe nëse gjithcka shkon mirë atëhëre me ca pengesa të vogla e ndoshta shumë harxhim kohe, paratë mund ti marrësh. Kundrejt kësaj duhet firmosur një kontratë natyrisht. Nëse je mjaftueshëm me fat dhe punonjësi i bankës të sqaron mirë kushtet përpara firmosjes, ja ku të vihet kontrata përpara. Ajo që mbetet të lexosh pas sqarimit, sado i mirë qoftë, është shuma që do të marrësh dhe sa do të paguash e për sa kohë. Ndoshta i lodhur nga sorollatjet dhe përballë presionit për nevojën emergjente të atyre fondeve, klienti firmos shpejt e shpejt, të paktën të mos vonohet më shumë për shkak të vet. Mirpo kontrata është si thika me dy presa. Ajo sqaron atë që do të marrë klienti vetëm me pak rreshta, dhe pjesa tjetër që është edhe më e rëndësishme e më voluminoze ka të bëjë me kushtet e bankës, kostot e kredisë, klauzolat e mbylljes dhe sigurisht garancitë që banka siguron nga klienti kundrejt kredisë së dhënë. Sa i lexon klienti këto, sa i kupton dhe sa arrin të perfitojë prej tyre, këtu qëndron cështja…